Paralajmërim nga Franca: Veprimet në veri rrezikojnë imazhin e Kosovës

Para 11 muaj

Prishtinë, 15 maj 2025 – Ambasada e Francës në Kosovë ka reaguar pas mbylljes së disa zyrave paralele serbe në veri të vendit, duke e cilësuar këtë veprim si një sinjal negativ ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

Në reagimin zyrtar, ambasada shpreh shqetësimin për “veprimet e përsëritura nga autoritetet kosovare kundër strukturave të Serbisë në Kosovë që ofrojnë shërbime për komunitetin serb”, duke theksuar se çështja e këtyre strukturave duhet të trajtohet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Veprimet e tilla dërgojnë një sinjal negativ për partnerët e Kosovës. Franca po ndjek me kujdes ndikimin e këtyre vendimeve në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë,” thuhet në reagim.

Reagimi i ambasadës vjen pak ditë pas mbylljes nga ana e autoriteteve kosovare të një ujësjellësi që operonte nën sistemin e Serbisë, si dhe një zyre të ashtuquajtur për Sport dhe Rini në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar ende mbi reagimin e Francës, ndërsa zhvillimet në veri po vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, në një kohë kur dialogu Kosovë–Serbi mbetet në ngërç.