Ushtria e Shteteve të Bashkuara do të organizojë një paradë ushtarake të përmasave të mëdha për të shënuar 250-vjetorin e themelimit të saj, një përvjetor historik që përkon me ditëlindjen e ish-presidentit Donald Trump, duke nxitur diskutime të forta në skenën politike amerikane.
Parada do të mbahet më 14 qershor dhe do të përfshijë mbi 6,600 ushtarë, 150 automjete ushtarake, 50 helikopterë dhe shfaqje nga shtatë banda muzikore ushtarake. Aktivitetet do të fillojnë me një ceremoni zyrtare të vendosjes së kurorës në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit dhe do të kulmojnë me fishekzjarrë në mbrëmje në National Mall.
Krahas aspektit ceremonial, qyteti i Uashingtonit po merr masa të veçanta për të akomoduar pajisjet e rënda ushtarake. Pllaka të mëdha metalike do të vendosen në kryqëzime për të mbrojtur rrugët nga dëmtimet.
Ndërsa Ushtria deklaron se parada është një akt nderimi për historinë dhe shërbimin ushtarak amerikan që nga viti 1775, disa anëtarë të Kongresit e kanë cilësuar atë si një “paradë ditëlindjeje presidenciale”, duke ngritur shqetësime mbi koston dhe motivet politike pas saj.
Kostoja e lartë mbetet e paqartë
Zyrtarët nuk kanë publikuar një shumë zyrtare për shpenzimet, por vlerësimet për paradën variojnë nga 25 deri në 45 milionë dollarë, pa përfshirë shpenzimet shtesë që do të mbulojë qyteti për sigurinë, pastrimin dhe riparimin e infrastrukturës.
Roli i Trump – ende i paqartë
Nuk është konfirmuar ende nëse Donald Trump do të jetë fizikisht i pranishëm në paradë, por sipas burimeve të mediave ndërkombëtare, ai pritet të marrë pjesë në ceremoni zyrtare dhe të administrojë betimin për një grup të rekrutëve të rinj. Kujtojmë se Trump pati propozuar për herë të parë një paradë të ngjashme gjatë mandatit të tij të parë, por ajo nuk u realizua për shkak të kostove të larta.
Ngjarja pritet të tërheqë vëmendje të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, jo vetëm për përmasat e saj, por edhe për debatin publik që ka ndezur për rolin e ushtrisë në jetën politike dhe simbolikën e përdorimit të saj në ngjarje publike.
