Në një gjest të rrallë dhe prekës, Papa Françesku ka dhuruar automjetin e tij të famshëm, Popemobile, për fëmijët në Rripin e Gazës, një prej zonave më të prekura nga fatkeqësia humanitare globale.
Automjeti simbolik, që për vite me radhë ka shoqëruar Papën në udhëtimet e tij nëpër botë, do të transformohet në një njësi mjekësore lëvizëse. Ai do të përdoret për të ofruar kujdes shëndetësor bazë për fëmijët e plagosur dhe të kequshqyer në zonat më të izoluara të Gazës – sapo të mundësohet aksesi humanitar.
“Falë këtij automjeti, ne do të jemi në gjendje të arrijmë fëmijët që sot nuk kanë asnjë akses në kujdesin shëndetësor”, deklaroi Peter Brune, sekretari i përgjithshëm i Caritas Suedez, organizatë që do të koordinojë operacionin në terren.
Popemobile do të pajiset me pajisje të avancuara për diagnostikim dhe trajtim, përfshirë teste të infeksioneve, vaksina, pajisje për plagë dhe furnizime të tjera urgjente. Ekipet mjekësore që do ta drejtojnë automjetin kanë për qëllim të mbërrijnë në vendet ku fëmijët nuk kanë më asnjë shpresë tjetër.
Gjatë 12 viteve në krye të Kishës Katolike, Papa Françesku ka qenë zë i fuqishëm për paqen, drejtësinë sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve të prekur nga luftërat, nga Ukraina në Kaukaz e deri në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Konflikti në Gaza ka lënë mijëra fëmijë të vdekur, të plagosur dhe pa asnjë mbështetje mjekësore – diçka që Papa e ka denoncuar me forcë në vazhdimësi.
Ky veprim i Papës Françesku është një simbol i fortë i dhembshurisë dhe solidaritetit njerëzor, në një kohë kur sistemi shëndetësor në Gaza është pothuajse i shembur
