Ajo që duhej të ishte një mbrëmje zbavitëse për të rinjtë në parkun e lodrave në Skenderaj, përfundoi në panik dhe plagë. Rreth orës 23:00 të së shtunës, një luhatëse e cila ishte në funksion në parkun pranë rrugës “Fatmir Dibra” u prish papritur, duke shkaktuar lëndimin e gjashtë personave, në mesin e të cilëve edhe të mitur.
Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor fillimisht në Qendrën Emergjente në Skenderaj dhe më pas në Spitalin e Mitrovicës.
Pronari i parkut, i cili prej më shumë se dy vitesh ushtron këtë veprimtari në disa qytete të Kosovës, nuk e ka konsideruar situatën si alarmante. Sipas tij, pajisjet janë të kontrolluara dhe funksionale.
Por ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e parqeve të lodrave që operojnë pa mbikëqyrje rigoroze teknike dhe institucionale. Mbetet e paqartë nëse luhatësja ishte inspektuar së fundmi apo nëse ka pasur ndonjë ankesë të mëparshme për funksionimin e saj.
Policia ka marrë në pyetje pronarin dhe një punëtor të parkut, të cilët janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë duke vazhduar.
