Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka akuzuar partitë opozitare se refuzojnë bashkëpunimin me pozitën për shkak të kërkesave për përfitime personale. Në një intervistë në “FIVE” në TV Dukagjin, ajo tha se Vetëvendosje ka ofruar bashkëpunim, por opozita ka kërkuar “terminalet dhe pasuritë shtetërore”, jo ndarje të drejtë të përgjegjësive qeveritare.
“Ne kemi mbajtur takime me opozitën dhe kemi treguar gatishmëri për bashkëpunim, por ata kërkojnë terminale e pasuri. Këto janë kërkesat e tyre, jo ministri. Në të kaluarën, këto parti kanë bërë marrëveshje vetëm kur janë shpërndarë poste e përfitime,” tha Pacolli.
Ajo shtoi se Vetëvendosje nuk pranon kushte të tilla dhe se vendimet politike duhet të bazohen në interesin publik, jo në përfitime partiake.
