Prishtinë, 12 maj 2025 – Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, pritet të vizitojë nesër Prishtinën, vizitë kjo që po cilësohet si provokuese dhe e panevojshme nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).
Nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla, ka deklaruar për KosovaPress se zgjedhja e datës për këtë vizitë është e papërshtatshme, pasi përkon me përvjetorët e disa prej masakrave më të rënda që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
“Është e papranueshme për neve me ardhë sot kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me na tregu diçka që ne veçse e dimë… Për neve është provokuese edhe kjo datë. Ajo ka mundur ta japë këtë informacion edhe në mënyra të tjera, pa ardhur fizikisht në Kosovë,” tha Syla.
Ai theksoi se vizita e znj. Trendafilova nuk është transparente, pasi nuk përfshin qytetarët, mediat dhe përfaqësuesit e veteranëve, të cilët, sipas tij, kanë shumë pyetje për drejtuesen e gjykatës. Syla gjithashtu ka përsëritur kritikat e kahershme të organizatës ndaj Dhomave të Specializuara, duke i cilësuar ato si të njëanshme dhe të përqendruara vetëm në ndjekjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së.
“Ne mendojmë që kjo gjykatë është njëetnike, trajton vetëm luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe kjo për ne ka qenë e papranueshme që nga themelimi,” shtoi Syla.
Organizata e Veteranëve ka shprehur interesim që të marrë pjesë në ndonjë takim të hapur me kryetaren e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që të parashtrojë pyetjet dhe shqetësimet e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë konfirmim nga zyrtarët e Dhomave të Specializuara për ndonjë takim publik apo konferencë për shtyp gjatë kësaj vizite.
