OVL e UÇK-së në Pejë shpall nismë për pastrimin e listave të luftëtarëve me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit

Para 10 muaj

Me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të qytetit të Pejës, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dega në Pejë, ka shpallur një nismë të re për pastrimin dhe përditësimin e listave të luftëtarëve të UÇK-së në këtë komunë.

Sipas njoftimit të OVL-së, qëllimi i kësaj iniciative është ruajtja e dinjitetit të luftës çlirimtare, respektimi i kontributit të vërtetë të secilit luftëtar dhe ndarja me drejtësi e titullit të shenjtë të luftëtarit të lirisë.

“Me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të qytetit të Pejës, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dega në Pejë, shpall nismën për përgatitjen dhe pastrimin e listave të luftëtarëve të UÇK-së në Komunën e Pejës. Kjo iniciativë vjen si nevojë për të ruajtur dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare, për të respektuar sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për liri”, thuhet në njoftim,

Organizata u ka bërë thirrje bashkëluftëtarëve, familjarëve dhe strukturave lokale që të jenë pjesë e kësaj iniciative të përbashkët, për të kontribuar në një proces të drejtë dhe të ndershëm.

“Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit! Nderim të gjithë luftëtarëve të lirisë!”, përfundon deklarata.