Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar homologun e saj serb, Aleksandar Vuçiq, për sjellje ofenduese dhe arrogante gjatë Samitit të Procesit Brdo-Brijuni, që po mbahet në Slloveni.
Në një deklaratë për media, Osmani theksoi se Vuçiqi tentoi të prishte mbarëvajtjen e takimit përmes gjuhës provokuese, por pavarësisht kësaj, deklarata e përbashkët e samitit u miratua me unanimitet.
“Sikurse në takimet e tjera të Brdo-Brijunit, ndoshta në një dozë më të madhe, Vuçiqi i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me tentimin që ta prishte takimin. Por, arritëm në fund që ta miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet,” tha Osmani, duke shtuar se Kosova u përgjigj me argumente të fuqishme dhe të mbështetura nga e drejta ndërkombëtare, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.
Presidentja Osmani deklaroi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, por gjithmonë do të mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe interesat e saj shtetërore.
“Jemi pro bashkëpunimit rajonal, por në të njëjtën kohë do ta mbrojmë interesin tonë shtetëror… edhe pse Vuçiqi kishte ankesa për paktin tonë Kosovë-Shqipëri-Kroaci në fushën e mbrojtjes, ajo mori rikonfirmimin tonë të përbashkët se ky bashkëpunim ka për qëllim mbrojtjen tonë,” theksoi ajo.
Osmani theksoi gjithashtu se historikisht Kosova ka qenë gjithmonë palë mbrojtëse, dhe asnjëherë agresore.
“Për historinë e ekzistencës tonë si komb, ne asnjëherë s’e kemi sulmuar askënd, s’e kemi pushtuar askënd, por kemi mbrojtur veten.”
Samiti i Brdo-Brijunit, një nismë për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, është shpesh skenë e tensioneve diplomatike mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.
