Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar qendrën “Handikos” në Ferizaj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar. Ajo ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e stafit dhe anëtarëve të qendrës, duke e përshkruar Handikosin si një vatër të rëndësishme komunitare ku punohet çdo ditë për të drejta, barazi dhe gjithëpërfshirje. Osmani theksoi se personat me aftësi të kufizuara dhe stafi i Handikosit janë shembull i guximit dhe humanitetit, duke ndërtuar ura aty ku të tjerët shohin barriera.
