Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “të gjithë po përgatiten për luftë”.
Përmes një deklarate nga Presidenca në rrjetin social X, Osmani i cilësoi thirrjet e Vuçiqit si “jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë”, duke shtuar se ai po ndjek rrugën e Millosheviqit – dhe do të përfundojë si ai: me dështim.
“Në vend që të zgjedhë paqen, Vuçiqi po flirton me fantazitë shkatërruese që sollën tragjedi në vitet ’90”, thuhet në reagim. Sipas Osmanit, historia ka treguar qartë se lufta nuk sjell fitore, por rrënim dhe izolim.
Ajo theksoi se Kosova ka zgjedhur paqen dhe do ta mbrojë atë me çdo kusht.
