Osmani takon sekretarin e NATO-s Mark Rutte: Kosova e përkushtuar të jetë partnere e besueshme e Aleancës

Para 6 muaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili po mbahet në Danimarkë.

Në një deklaratë pas takimit, Osmani e cilësoi takimin si një mundësi të shkëlqyer për të riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n.

“Shpreha kënaqësinë time për takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ishte një mundësi e shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë tonë për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani.

Ajo theksoi gjithashtu rolin kyç të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal dhe ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të qenë një partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Takimi me Rutte vjen në një kohë kur Kosova po synon të forcojë më tej partneritetin me NATO-n dhe të avancojë në proceset euroatlantike.