Vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me shpresën për t’i dhënë fund bllokadës politike në vend, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takohet sot me mërgimtarët që tashmë kanë ardhur në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, Osmani ka vendosur që t’i mirëpresë bashkatdhetarët me një pritje të organizuar, e cila do të mbahet sot nga ora 18:00 në ambientet e hotelit Emerald.
Kjo pritje, sipas Presidencës, organizohet në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e vazhdueshëm të mërgatës në zhvillimin ekonomik, social dhe institucional, si dhe në forcimin e shtetit të Kosovës. Mërgata konsiderohet një nga shtyllat kryesore të mbështetjes së vendit, veçanërisht në procese të rëndësishme politike dhe zgjedhore.
