Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e Masakrës në Shtuticë, Verboc dhe fshatrat përreth të Drenasit, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga krimet më të tmerrshme të luftës në Kosovë.
“26-vjet më parë, toka e Drenicës u mbulua nga një dhimbje që nuk shuhet kurrë,” u shpreh Osmani, duke theksuar se regjimi gjenocidal i Serbisë ekzekutoi barbarisht 275 civilë shqiptarë — fëmijë, gra, burra dhe të moshuar — vetëm pse ishin shqiptarë dhe dëshironin lirinë.
Presidentja theksoi se kjo masakër mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen e njerëzimit dhe një akt që thërret për drejtësi, duke shtuar se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga Ilaz Kodra, ishin ata që mbajtën të gjallë dritën e lirisë edhe në ato momente të errëta.
“Ata nuk u tërhoqën, nuk u dorëzuan. U bënë mburojë për popullin, dhe 40 prej tyre me gjakun e tyre përjetësuan lirinë tonë,” tha Osmani, duke nderuar dëshmorët dhe martirët e asaj dite.
Në përfundim të fjalës së saj, Osmani theksoi rëndësinë e kujtimit të kësaj sakrifice për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë: “Qoftë e përjetshme lavdia për dëshmorët e UÇK-së dhe kujtimi për martirët e Shtuticës, Verbocit, Drenicës dhe gjithë Kosovës!”
