Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot në një konferencë për media se pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ushtria serbe kishte filluar një grumbullim të paprecedent të trupave dhe armatimit përgjatë kufirit me Kosovën. Ajo tha se reagimi i saj ishte i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë ndaj aleatëve ndërkombëtarë, me qëllim informimin për një rrezik të vazhdueshëm.
“Menjëherë pas Banjskës kemi marrë informata nga institucionet tona të sigurisë për grumbullimin e paparë të ushtrisë dhe armatimit serb në kufi me Kosovën, jo vetëm në veri, por edhe në pjesën lindore,” theksoi Osmani.
Duke iu referuar ngjarjeve të vitit 2023, ajo nënvizoi se rreziku nuk kishte përfunduar me zbrapsjen e grupit të armatosur në Banjskë, por përkundrazi kishte marrë formë të re me pozicionimin e forcave ushtarake serbe përreth kufirit të Kosovës.
“Kam komunikuar urgjentisht me aleatët tanë, deri në nivelet më të larta, për t’i informuar se rreziku nuk ka kaluar. Serbia kishte grumbulluar forca ushtarake dhe mjete të rënda në një shkallë që nuk është parë që nga viti 1999,” tha Osmani.
Deklaratat e Presidentes vijnë në një kohë kur tensionet Kosovë–Serbi mbeten të larta dhe përpjekjet ndërkombëtare për ulje të tensioneve po vazhdojnë. Ajo rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e vendit në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.
