Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, deputetët do të përballen me pasoja juridike. Në një deklaratë për media, ajo tha se është duke planifikuar t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim, nëse nuk arrihet konstituimi “shumë shpejt”.
Osmani theksoi se afati kushtetues nuk është opsional dhe mosrespektimi i tij nuk mund të kalojë pa pasoja. Ajo kritikoi bllokadën aktuale për mënyrën e votimit si “shumë joracionale” dhe bëri të ditur se janë dorëzuar disa lëndë në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.
“Kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetues, moskryerja e detyrimit nuk ec pa pasoja,” u shpreh Osmani, duke shtuar se nuk pret që Gjykata Kushtetuese të lejojë tejkalimin e afatit 30-ditor pa veprime konkrete.
Kjo situatë vjen pas mungesës së marrëveshjes mes partive për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve, ndërkohë që afati për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit.
