Osmani në Zvicër: Mërgata kosovare, motor i zhvillimit të shoqërisë zvicerane

Para 11 muaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me ceremoni shtetërore në Zvicër nga presidentja Karin Keller-Sutter dhe anëtarët e Këshillit Federal, në vizitën e parë shtetërore të një presidenti të Kosovës në këtë shtet mik.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, gjatë takimit në Bern është diskutuar për thellimin e partneritetit politik, ekonomik dhe bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët. Të dyja presidentet theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke nënvizuar vlerat e përbashkëta si demokracia, liria dhe solidariteti.

Një nga temat kryesore të takimit ishte edhe mërgata kosovare në Zvicër, për të cilën presidentja Osmani tha se “nuk është thjesht pjesë e shoqërisë zvicerane, por motor i zhvillimit të saj”. Ajo vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës në ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Populli i Kosovës është thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në përpjekjet tona për forcimin e pozitës ndërkombëtare”, theksoi Osmani.

Për vizitën u organizua një ceremoni zyrtare në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, ku presidentja Osmani dhe presidentja Keller-Sutter përshëndetën qytetarë të shumtë, në një moment simbolik të miqësisë ndërmjet dy vendeve.

Në fund të takimit u ritheksua gatishmëria për të avancuar më tej raportet bilaterale dhe për të forcuar më tej rolin e mërgatës si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.