Osmani në CNN: Pa kompromis politik, Kosova rrezikon të mbetet larg NATO-s dhe BE-së

Para 6 ditë

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për CNN International ka paralajmëruar se zvarritja e krijimit të institucioneve të reja po dëmton interesat e vendit si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Osmani tha se qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë për kompromis mes forcave politike dhe se institucionet duhet të ndërtohen përmes bashkëpunimit. Sipas saj, Kosova ka qenë gjithmonë më e suksesshme kur partitë kanë punuar së bashku për interesat shtetërore.

Ajo theksoi se kompromisi duhet të përfshijë formimin e qeverisë së re, konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit, duke shtuar se është e gatshme për dialog me të gjitha partitë shqiptare.

Duke folur për sfidat e sigurisë dhe integrimit euroatlantik, Osmani paralajmëroi se mungesa e institucioneve funksionale po vonon rrugëtimin e Kosovës drejt NATO dhe Bashkimi Evropian. Ajo kërkoi veprim të shpejtë politik, duke theksuar se vendi nuk ka kohë për humbje përballë afateve kushtetuese dhe objektivave strategjike.