Osmani kundërshton kërkesën e Listës Serbe për pezullimin e Kuvendit: Veprim i panevojshëm që dëmton interesat e qytetarëve

Para 6 muaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Listës Serbe drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e punës së Kuvendit të Kosovës. Ajo e ka cilësuar këtë kërkesë si një veprim të panevojshëm që vetëm sa i shkakton shtetit vonesa të mëtejshme në formimin e institucioneve.

Në një deklaratë për mediat, Osmani theksoi se këto vonesa janë duke dëmtuar jo vetëm shtetin e Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët pa dallim, përfshirë edhe komunitetin serb.

“Ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve dhe besoj që kjo është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat kanë penguar interesat e Kosovës. Janë bërë muaj të tërë pa qeveri me mandat të plotë kushtetues”, tha Osmani.

Presidentja nënvizoi se pas konstituimit të Kuvendit, sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, është jetike të formohet sa më shpejt një qeveri funksionale.

“Krijimi i qeverisë varet krejtësisht nga marrëveshjet mes partive politike, dhe unë si presidente nuk mund të ndërhyj në këtë proces. Vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe është në dëm të interesave të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”, shtoi Osmani.