Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin e Austrisë dhe Sllovenisë si ndër përkrahëset më të mëdha të integrimit evropian të Kosovës, gjatë një takimi me përfaqësuese të larta të dy shteteve mike.
Në një deklaratë pas takimit me ministren federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, Claudia Plakolm, si dhe sekretaren e Shtetit të Sllovenisë për Çështje Evropiane, Neva Grašič, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e partneritetit me këto vende për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
“Austria dhe Sllovenia kanë qenë gjithmonë në krah të Kosovës në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Shpresoj që do të jenë ndër zërat më të fuqishëm për të shtyrë përpara statusin e kandidatit për Kosovën, ashtu siç kanë vepruar me vende të tjera të rajonit”, tha Osmani.
Gjatë takimit u diskutua për progresin që ka bërë Kosova në zbatimin e reformave evropiane, si dhe për nevojën për të hequr masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës. Presidentja i cilësoi këto masa të padrejta dhe të papërputhshme me përparimin që ka bërë vendi.
Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, barazinë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa theksoi se partneriteti me Austrinë dhe Slloveninë mbetet shtyllë e fortë e politikës së jashtme të Kosovës.
