OSBE dënon sjelljen e anëtarit të KQZ-së ndaj gazetarëve

Para 8 muaj

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka dënuar ashpër sjelljen e anëtarit të Komisionit Qendror Zgjedhor, Sami Kurteshi (LVV), ndaj gazetarëve.

 

Sipas OSBE-së, një sjellje e tillë është e papranueshme dhe theksohet se liria e medias dhe diskursi publik i përgjegjshëm janë thelbësore për funksionimin e demokracisë në Kosovë.

“Përfaqësuesit politikë në organet e pavarura duhet të mbajnë standardet më të larta të profesionalizmit dhe respektit”, thuhet në reagimin e OSBE-së, duke bërë thirrje për respektim të etikës dhe transparencës në komunikimin me mediat.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka deklaruar se anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ka penguar fizikisht gazetarët që ta kryejnë punën e tyre.

Kurteshi, në një reagim publik, e kishte quajtur AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe kisht listouar një sërë mediash, që sipas tij operojnë si “vrasës me pagesë”.