Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së Kundërshton Vizitën e Kryetares së Gjykatës Speciale: “Provokim dhe Fyerje ndaj Luftës

Para 11 muaj

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së) ka reaguar ashpër pas paralajmërimit të vizitës së Kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila do të mbahet më 13 maj në Prishtinë. OVL e UÇK-së e konsideron këtë vizitë si një provokim të qëllimshëm dhe fyerje për luftën çlirimtare të popullit shqiptar.

Në një reagim të publikuar, OVL e UÇK-së theksoi se 13 maji është një ditë me rëndësi të veçantë dhe ngarkesë historike për shqiptarët, pasi përkon me themelimin e shërbimit të UDB-së, agjencia më e egër përndjekëse e shqiptarëve, si dhe me rënien heroike të luftëtarëve Tahir dhe Nebih Meha në Prekaz.

“13 Maji është datë e zezë në historinë tonë, themelimi i UDB-së, përndjekësi më i egër i shqiptarëve, dhe dita e rënies heroike të Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz. Të vish në këtë datë, në këtë tokë, me agjendë të njëanshme e pa ndjeshmëri historike, është ofendim për çdo luftëtar dhe për çdo familje dëshmori,” thuhet në reagimin e Organizatës.

OVL e UÇK-së e ka cilësuar Gjykatën Speciale si një “padrejtësi të institucionalizuar”, e krijuar për të ndjekur vetëm UÇK-në dhe për të anashkaluar krimet serbe gjatë periudhës së luftës. Organizatën thekson se liderët e UÇK-së po mbahen në paraburgim të zgjatur dhe të padrejtë, duke u përballur me pengesa të mëdha në mbrojtjen e tyre.

Kosova, sipas OVL-së, nuk ka për çka të turpërohet dhe lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme.

Në përfundim, OVL e UÇK-së ka theksuar se nuk do të heshtin dhe kërkon liri për luftëtarët e UÇK-së.