Orban paralajmëron: “Rreziku për Luftën e Tretë Botërore po rritet çdo ditë

Para 9 muaj

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka dhënë një paralajmërim të zymtë mbi gjendjen aktuale globale, duke deklaruar se bota është përballë një rreziku real të një Lufte të Tretë Botërore. Në një fjalim të transmetuar në televizionin kombëtar M1, Orban theksoi se kërcënimi është gjithnjë e më i prekshëm dhe duhet marrë me seriozitet.

“Ndoshta pyetja më e rëndësishme tani është nëse do të ketë një luftë të tretë botërore, dhe përgjigjja është se gjasat janë vazhdimisht në rritje,” tha ai.

Ai u mbështet në rezultate të sondazheve të fundit të kryera në gjashtë shtete të fuqishme, ku një pjesë e madhe e qytetarëve ndajnë frikën për një konflikt global të afërt. Sipas tij, 55% e francezëve, 50% e spanjollëve, 46% e italianëve, 45% e amerikanëve, 41% e britanikëve dhe po aq gjermanë besojnë se brenda 5 deri në 10 vjet, një luftë botërore mund të shpërthejë.

“E gjithë bota e ndjen erën e ftohtë të luftës,” shtoi Orban, duke apeluar për përpjekje të bashkuara ndërkombëtare për të parandaluar një katastrofë globale.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të lartë gjeopolitik, ku pasiguria, krizat dhe konfliktet në rritje kanë kthyer frikën e luftës në një realitet të ndjeshëm për miliona njerëz në mbarë botën.