Prishtinë, 28 gusht 2025 – Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Albert Krasniqi, ka kritikuar ashpër partitë politike në vend për, siç tha ai, lejimin e një ligjërimi publik nga kryeparlamentari i ri, Dimal Basha, ndonëse ky i fundit është shprehur hapur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një deklarate të publikuar dhe të transmetuar nga Klan Kosova, Krasniqi e cilësoi paradoksale situatën ku opozita – e cila historikisht ka ngritur në piedestal kontributin e UÇK-së – bie sot nën ndikimin e një narrative që sipas tij e përmbys historinë dhe vlerat e luftës për liri.
“Kredencialet patriotike janë pika më e fortë e partive politike opozitare. Secila prej tyre ka në radhët e veta figura të shquara të luftës tonë për liri. Është e pakuptimtë sesi këto parti lejojnë të akuzohen se janë me Serbinë, dhe t’u mbahen ligjërata patriotike nga individë që kanë dalë hapur kundër UÇK-së”, u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se është edhe më absurde fakti që opozita, në vend se të kundërshtojë këtë narrativë, po ndikohet nga retorika e Vetëvendosjes dhe po lejon që “kundërshtarët t’ua diktojnë veprimet dhe t’ua përmbysin narrativën historike”.
Këto komente vijnë në një kohë kur zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit ka ndezur debat të gjerë në opinion, për shkak të qëndrimeve të mëhershme të tij ndaj UÇK-së të shprehura në një punim shkencor, si dhe për rolin që pati opozita në sigurimin e votave për zgjedhjen e tij.
