OKB: Gaza në kolaps humanitar – një në pesë fëmijë i kequshqyer, mbi 100 viktima nga uria

Para 9 muaj

Situata humanitare në Rripin e Gazës është përkeqësuar rëndë, duke prekur më së shumti fëmijët, paralajmëron Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Sipas të dhënave më të fundit, një në pesë fëmijë në këtë zonë është në gjendje të rëndë të kequshqyer, ndërsa më shumë se 100 persona, shumica fëmijë, kanë vdekur nga uria që nga fillimi i vitit 2025.

Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punët e Refugjatëve Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, e përshkroi situatën si një “kolaps të plotë humanitar”, duke theksuar se fëmijët që arrijnë për trajtim janë shumë të dobët dhe në rrezik për jetën.

“Nëse nuk marrin ndihmë urgjente, këta fëmijë mund të mos mbijetojnë,” paralajmëroi Lazzarini.

Ndihmësit humanitarë dhe gazetarët, gjithashtu në krizë

Edhe punonjësit humanitarë në terren – përfshirë stafin e UNRWA-s – po përballen me kushte ekstreme. Shumë prej tyre mbijetojnë vetëm me një vakt të vogël në ditë, duke përjetuar dobësi fizike dhe mungesë të theksuar të ushqimit.

Sipas raportimeve të Sky News, edhe gazetarët që raportojnë nga Gaza po rrezikohen nga uria dhe mungesa e ndihmës bazike, duke punuar në kushte që shkelin çdo standard humanitar.

Thirrje për ndihmë ndërkombëtare

Agjencitë e ndihmës dhe organizatat ndërkombëtare po bëjnë thirrje të përsëritura për qasje të sigurt dhe të pakufizuar humanitare në Gaza, ku bllokadat, mungesa e furnizimeve dhe bombardimet e vazhdueshme e kanë bërë pothuajse të pamundur ofrimin e ndihmës efektive.

Lazzarini përfundoi duke theksuar se nëse nuk ndryshon urgjentisht trajektorja aktuale, pasojat humanitare do të jenë katastrofike dhe afatgjata, veçanërisht për gjeneratat e reja.