Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka deklaruar se për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës çdo formë bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje është e papranueshme. Në një lidhje direkte në emisionin Debat Plus, ajo tha se ofertat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj partive opozitare për bashkëqeverisje kanë qenë “qesharake dhe jo të sinqerta”.
Kadrijaj përmendi edhe përvojën e LDK-së me Vetëvendosjen, duke thënë se ai koalicion u prish shpejt për shkak të mungesës së sinqeritetit nga ana e Kurtit. Ajo gjithashtu kritikoi ftesën që Kurti i kishte bërë Fatmir Limajt, duke e cilësuar si dëshmi të qëndrimeve të pasinqerta.
Deputetja theksoi se qëndrimi i AAK-së kundër bashkëpunimit me VV-në ka qenë i qartë që nga fillimi, duke sqaruar se marrëveshja lokale mes dy partive në Fushë Kosovë është bërë pa dijeninë e qendrës së partisë.
Sipas Kadrijajt, ky veprim nuk pasqyron qëndrimin e Aleancës në nivel qendror, ndërsa shtoi se dega e AAK-së në Fushë Kosovë nuk ka fuqi të përcaktojë rezultatin përfundimtar në atë komunë.
