Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar mbrëmjen e kaluar se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në muajin shtator, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ky zhvillim historik, i pari nga një fuqi kryesore perëndimore, është vlerësuar nga analistët si një hap konkret diplomatik në një moment të përshkallëzimit të krizës humanitare në Rripin e Gazës.
Eksperti francez dhe analist i CNN-it, Joseph Ataman, thekson se ky vendim është një shenjë se Macron beson se ka ardhur koha për veprim të guximshëm në mbështetje të paqes në Lindjen e Mesme.
“Macron është i njohur për preferencën e tij për krijimin e koalicioneve ndërkombëtare. Kjo lëvizje sinjalizon një përpjekje për të krijuar një efekt domino brenda vendeve perëndimore, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Palestinës,” thotë Ataman.
Vendimi vjen në një kohë kur mbi 1.000 civilë palestinezë janë vrarë gjatë përpjekjeve për të siguruar ushqim në Gazë, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e urisë. Për shkak të kësaj situate alarmante, liderët e Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë pritet të zhvillojnë një takim urgjent nesër për të koordinuar veprimet ndaj përkeqësimit të krizës.
Presidenti Macron deklaroi:
“Duke qëndruar i përkushtuar ndaj një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca ta njohë shtetin e Palestinës. Këtë do ta shpall zyrtarisht në shtator, në OKB.”
Aktualisht, 142 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e kanë njohur ose planifikojnë të njohin shtetin e Palestinës. Megjithatë, disa vende kyçe të Perëndimit – përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë – vijojnë të refuzojnë njohjen formale, duke argumentuar se statusi i shtetit palestinez duhet të jetë rezultat i një marrëveshjeje dypalëshe me Izraelin.
Vendimi i Francës pritet të trazojë balancat diplomatike dhe të vërë në lëvizje diskutime të reja rreth qasjes ndërkombëtare ndaj konfliktit izraelito-palestinez.
