Një votë që sfidon shumicën: Si Duda Balje po ndikon në fatin e Kuvendit

Para 10 muaj

Të premten pritet të mbahet seanca e 52-të e Kuvendit të Kosovës, një moment kyç që përkon me afatin kushtetues 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e plotë të institucioneve. Në rend të ditës qëndron zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, por procesi rrezikon të bllokohet për shkak të mungesës së votave.

Bisedimet e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate nuk kanë prodhuar shumicën e nevojshme. Sipas burimeve të afërta me procesin, të gjitha kalkulimet aktuale japin vetëm 60 vota, një më pak nga minimumi prej 61 votash të nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Duda Balje – ndër vendimtaret për fatin e seancës

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, mbetet një nga figurat kyçe në këtë ekuacion politik. Por, ajo ka konfirmuar për Indeksonline se nuk do ta mbështesë Albin Kurtin, dhe ka refuzuar çdo ofertë për poste politike.

“Unë nuk mundem me bashkëpunu me Albin Kurtin sepse nuk kam besim – s’mundesh me punu me dikë që s’ki besim, edhe ai s’ka besim tek unë,” u shpreh Balje.

Ajo ka treguar se ka pasur biseda me kreun e Nismës, Fatmir Limaj, i cili i ka ofruar mundësi bashkëpunimi, por ka deklaruar prerazi se “nuk kërkon pozita dhe nuk negocion për interesa personale”. Kërkesa e vetme e saj, siç thotë, është themelimi i një komune për komunitetin boshnjak – një çështje që e konsideron esenciale dhe jo pjesë e pazareve politike.

Akuza për “luftë personale” dhe shqetësim për sigurinë

Në një deklaratë të fortë, Balje ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zhvillimin e një “lufte personale” ndaj saj, duke përmendur një incident të rëndë:

“Për herë të parë në histori ka nisë një betejë personale ndaj një deputeteje. Arbër Rexhaj (deputet i LVV-së) ka deklaruar se në Këshillin e Sigurisë është fol për Dudën. A e dini çka është Këshilli i Sigurisë? Qysh një deputet me pas informacion prej andej?”, ka pyetur Balje, duke shprehur shqetësim për përfshirjen e institucioneve të sigurisë në debatin politik.

Kuvendi në pikëpyetje – një votë larg bllokadës

Në prag të seancës, përçarjet politike dhe mungesa e konsensusit po shtyjnë Kosovën drejt një tjetër krize institucionale. Pa një marrëveshje të re, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mund të dështojë për shkak të një vote mungesë, duke krijuar një situatë të paparashikueshme politike.