Një princeshë që la kurorën për dashurinë… dhe fitoi një familje.

Para 10 muaj

Tokio – Një histori dashurie që dikur tronditi Japoninë ka nisur një kapitull të ri, këtë herë të mbushur me gëzim e jetë të re. Mako Komuro, ish-princesha dhe mbesa e Perandorit japonez Naruhito, është bërë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë fëmijën e saj dhe të bashkëshortit Kei Komuro, burrit për të cilin hoqi dorë nga titulli perandorak dhe privilegjet e oborrit.

Lajmi u konfirmua nga zyrtarët e pallatit perandorak në Tokio, të cilët njoftuan se si nëna ashtu edhe foshnja gëzojnë shëndet të mirë. Detajet si data e lindjes apo gjinia e fëmijës nuk janë bërë publike, në përputhje me privatësinë që çifti ka kërkuar që nga largimi nga jeta mbretërore.

Historia e Mako dhe Kei filloi në vitin 2013, në auditorët e Universitetit Ndërkombëtar të Krishterë pranë Tokios, ku ajo studionte art dhe trashëgimi kulturore, ndërsa ai drejtësi. Ajo që nisi si një miqësi studentore, u kthye në një dashuri që sfidoi rregullat shekullore të Shtëpisë së Krizantemës – familjes perandorake më të vjetër në botë.

Pavarësisht kritikave publike dhe presionit mediatik, Mako zgjodhi dashurinë mbi titullin. Ajo la pas pallatin dhe shkëlqimin perandorak për të ndarë jetën me Kei-n në New York, ku ai punon si avokat.

Pas martesës së tyre në vitin 2021, Mako ka vazhduar të qëndrojë larg vëmendjes së publikut, duke ndjekur pasionin për artin dhe muzeologjinë – fusha për të cilat është shkolluar në Edinburg dhe më pas në Universitetin e Leicesterit në Angli, ku mori një diplomë master në studime muzeale.

Tani, dy të dashuruarit janë bërë prindër – një moment që për shumëkënd është simbol i dashurisë së vërtetë që sfidon normat dhe triumfon mbi gjithçka.