Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Ramadan Morinës, i cili dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të gjykatës, Morina dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve në fshatin Burim të Komunës së Malishevës. Organi gjyqësor vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka qenë i përfshirë në veprime që përbëjnë krime lufte.
Në vendimin e saj, gjykata thekson se paraburgimi është i nevojshëm për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së ndikimit në dëshmitarë.
“Gjykata konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.M., nëse gjendet në liri, mund të arratiset, duke pasur parasysh faktin se ai ka shtetësinë e Serbisë dhe vendbanimin e përhershëm në këtë shtet. Andaj, ekziston rrezik real që ai të mos jetë i qasshëm për fazat e mëtejshme të procedurës penale. Po ashtu, nëse i pandehuri lihet në liri, paraqet rrezik real që mund të identifikojë dëshmitarët dhe të ushtrojë ndikim ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me provat konkrete që e lidhin Morinën me krimet e pretenduara.
