Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal – ka aprovuar kërkesën e Prokuroria Themelore e Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.B. dhe E.K., nën dyshimin për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se më 25 shkurt 2026, në ambientet e KEDS në Ferizaj, të pandehurit – në cilësinë e koordinatorëve – i kanë kërkuar 400 euro të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njësori elektrik do t’i vendosej brenda një jave, ndërsa në të kundërtën do të duhej të priste pesë deri në gjashtë muaj.
Sipas njoftimit, shuma e kërkuar do të ndahej mes katër personave. Pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të dyshuarit janë kapur në flagrancë dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Dardan Maloku, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve. Ankesa ndaj këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.
