Nikolla Vujoviq arrestohet në Kosovë pas heqjes së shtetësisë – në pritje të ekstradimit

Para 10 muaj

Prishtinë – Nikolla Vujoviq është arrestuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë, pas vendimit për t’i hequr shtetësinë kosovare. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi më herët se Vujoviq ka humbur shtetësinë për shkak të punësimit të tij në Policinë e Serbisë, veprim që autoritetet e cilësojnë si të papërputhshëm me interesat e sigurisë kombëtare të vendit.

Sipas burimeve të Klankosova.tv, Vujoviq është transferuar në kampin e azilantëve në Prishtinë dhe aktualisht ndodhet në procedurë pritjeje për ekstradim.

MPB theksoi se çdo shtetas i Republikës së Kosovës që angazhohet në institucionet e sigurisë së një shteti tjetër, veçanërisht atij që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, bie ndesh me ligjet dhe parimet e sigurisë shtetërore.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se në cilin vend mund të ekstradohet Vujoviq, ndërsa procedurat ligjore janë duke vazhduar.