Nga Srebrenica në Gaza: Si e mohon Vuçiq një gjenocid dhe ndihmon një tjetër?

Para 10 muaj

Nga Lucia Manoe

Në një intervistë të fundit për The Jerusalem Post, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u lavdërua hapur se është “i vetmi në Evropë që tregton municion ushtarak me Izraelin”, duke pohuar se Serbia dërgoi ndihmë ushtarake vetëm një ditë pas sulmeve të 7 tetorit 2023.

Në çdo rrethanë normale, një deklaratë e tillë do të nxiste reagime të ashpra. Por bota, dhe sidomos Evropa, është në një fazë të rrezikshme të normalizimit të cinizmit politik.

Që nga 7 tetori, mbi 56,000 civilë palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës – shumica gra dhe fëmijë – si pasojë e bombardimeve masive dhe shkatërrimit sistematik të infrastrukturës civile nga forcat izraelite. Dhe në këtë kohë të errët për njerëzimin, presidenti i një shteti evropian mburret se ka furnizuar një palë në këtë konflikt me municion – në emër të “dashurisë për popullin hebre”.

Po dashuria për njerëzimin? Për jetët e pafajshme të civilëve, që nuk mbrohen dot nga predhat? A thua municioni i mbledhur brenda “katër ditëve”, siç e përshkroi vetë Vuçiq, nuk ka përfunduar në ndonjë nga lagjet e fshira të Gazës?

Kjo nuk është më çështje gjeopolitike. Është çështje morale. Një komb që ka kaluar vetë përmes luftërave të përgjakshme, që e njeh dhimbjen e civilëve dhe pasojat e shkatërrimit, nuk duhet të jetë furnizuesi i një lufte që po cilësohet nga shumë si gjenocid në zhvillim.

Vuçiq falënderoi gjithashtu Izraelin për votën kundër rezolutës së OKB-së që shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ironia është therëse: një president që mohon simbolikisht një gjenocid të njohur ndërkombëtarisht, ndërkohë që mbështet ushtarakisht një fushatë që shumë organizata ndërkombëtare dhe ekspertë të së drejtës po e paralajmërojnë si të tillë.

Nëse Serbia dëshiron të vendoset si partnere strategjike në Evropë, atëherë duhet të përballet me pasojat e politikave të saj. Jo vetëm në ekonomi, por edhe në etikë dhe vlera. Dhe Evropa, nëse ka mbetur ndonjë parim në themelet e saj, nuk mund të heshtë përballë kësaj.

Historia e shkruar me municion nuk ka asnjëherë përfundim të drejtë.