Nga 1 janari 2026, pritet që çmimi i energjisë elektrike të rritet në Kosovë, zhvillim që, sipas njohësit të çështjeve ekonomike Safet Gërxhaliu, do të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Gërxhaliu e ka cilësuar varësinë e madhe nga importi i energjisë si “mëkatin më të madh ekonomik” të vendit, duke theksuar mungesën e transparencës në sektorin energjetik dhe ndikimin e rritjes së çmimeve në buxhetin familjar.
Sipas tij, shpenzimet për energji elektrike tashmë zënë deri në 70% të buxhetit të familjeve kosovare, duke shkaktuar rënien e konsumit dhe një “inflacion të heshtur” që po e godet fuqinë blerëse të qytetarëve.
Gërxhaliu paralajmëroi se rritja e çmimit, së bashku me direktivën për mbrojtje nga dioksidi i karbonit që hyn në fuqi në janar, do të rëndojë më tej ekonominë e vendit.
Ndërkohë, ZRRE ka konfirmuar më herët se deri në fund të vitit do të shqyrtojë tarifat e reja të energjisë, të cilat mund të përfshijnë rritje ose ulje, varësisht nga kostoja e sistemit.
