Netanyahu: Sipas planit të Trumpit, pushtimi izraelit në Gaza do të vazhdojë

Para 7 muaj

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se sipas planit për Gazën të paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump, pushtimi izraelit në pjesën më të madhe të Gazës do të vazhdojë dhe një shtet i pavarur palestinez nuk do të krijohet, transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetin social amerikan X, ku komentoi takimin e tij me Trumpin, Netanyahu tha se “në vend që Hamasi ta vërë Izraelin në pozitë të vështirë, ne e kemi vënë Hamasin në pozitë të vështirë”.

Ai pretendoi se “bota, si edhe bota arabe e islame, po ushtrojnë presion mbi Hamasin që të pranojë kushtet e përgatitura nga Izraeli dhe Trump”.

Duke iu referuar planit të armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve të shpallur nga Trump në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu tha se sipas këtij plani, “të gjithë pengjet izraelitë në Rripin e Gazës do të lirohen, ndërsa pushtimi izraelit në pjesën më të madhe të Gazës do të vazhdojë”.

Netanyahu këmbënguli se sipas planit të Trumpit, “krijimi i një shteti palestinez” nuk do të ndodhë, duke shtuar se as Trump e as ai vetë nuk kanë bërë një deklaratë të tillë.

Ai kujtoi se Trump, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kritikoi vendet që kanë njohur Palestinën si shtet.