SHBA – Nëntoger Vesa Ibrahimi, pjesëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka shënuar një sukses historik duke u bërë femra e parë ndërkombëtare që diplomohet ndonjëherë në “Ranger School”, një nga trajnimet më sfiduese dhe prestigjioze të ushtrisë amerikane.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në rrjete sociale, ku theksohet se ky trajnim i ashpër synon zhvillimin e lidershipit dhe aftësive taktike të oficerëve për operacione në njësi të vogla. Ranger School përfshin tri faza intensive: Darby, Mountain dhe Swamp, gjatë të cilave pjesëmarrësit përballen me sfida ekstreme fizike, mendore dhe emocionale, përfshirë mungesën e gjumit, ushqimit të kufizuar dhe presionin e vazhdueshëm psikologjik.
Ky kurs zbatohet me standarde të barabarta për të dy gjinitë, ku të gjithë pjesëmarrësit përballen me të njëjtat kritere. Në këtë cikël diplomimi, nga 148 ushtarakë që përfunduan me sukses, vetëm 3 ishin femra – ndër to edhe Nëntoger Ibrahimi.
Ky sukses përbën një arritje të veçantë jo vetëm për vetë oficerin, por edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë shtetin e Kosovës. Ai dëshmon për profesionalizmin dhe përgatitjen e lartë të pjesëtarëve të FSK-së, duke e vendosur Kosovën në hartën e partnerëve të besueshëm në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar ushtarak.
