Një pjesë e opinionit politik dhe publik në Serbi beson se me rikthimin e Donald Trump në presidencë, SHBA mund të shtojë presionin mbi Beogradin për të pranuar një formë të njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Njohësit e zhvillimeve politike në Serbi theksojnë se marrëveshjet ekzistuese, përfshirë dy të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, përbëjnë de facto njohje të Kosovës, ndërsa tani pritet një fazë e re që mund të çojë drejt njohjes de jure.
Zoran Vuletiq nga Forumi Demokratik Qytetar deklaroi se publikut serb i është fshehur realiteti i përmbajtjes së këtyre marrëveshjeve dhe se “serbët janë pengjet më të mëdha të politikës së rreme të Beogradit”.
Dy anëtare të Kongresit Amerikan, Klaudia Teni dhe Krisi Hulahan, kanë kërkuar ndërmjetësim të drejtpërdrejtë të presidentit Trump për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo kërkesë ka ngjallur reagime në Serbi, veçanërisht për shkak të rolit të Tenit si bashkëkryetare e grupit për çështje serbe në Kongresin amerikan.
Sipas juristit dhe politologut Aleksandër Olenik, një ofertë nga SHBA do të jetë e pashmangshme dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, nëse përballet me presion amerikan, “do ta nënshkruajë pa hezitim”, duke vënë në dukje historikun e shmangies së përplasjes me Uashingtonin.
Analistët e konsiderojnë të mundshëm rifillimin e një faze të re të dialogut Kosovë–Serbi, të udhëhequr nga administrata Trump, me qëllim final formalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.
