Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur Eduart Çala, një nga figurat më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Me një karrierë prej dekadash në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan, Çala interpretoi në mbi 50 shfaqje dhe la gjurmë edhe në disa filma të njohur shqiptarë.
I lindur në Elbasan më 1950, ai nisi rrugën e artit që në shkollë të mesme dhe vazhdoi me pasion pavarësisht se studioi për Gjuhë-Letërsi. Kontributi i tij u shtri jo vetëm në aktrim, por edhe në regji, sidomos në Teatrin e Kukullave, ku solli dhjetëra shfaqje për fëmijë.
Filmat ku spikati përfshijnë: “Përtej mureve të gurta”, “Një natë Nëntori”, “Partizani i vogël Velo”, “Pranverë e hidhur”, ndër të tjerë. Për veprimtarinë e tij u nderua me medaljen “Naim Frashëri” dhe titullin “Mirënjohje e Qytetit” nga Bashkia Elbasan.
Me largimin e tij, arti shqiptar humbet një artist të përkushtuar dhe një njeri që jetoi me dashurinë për skenën dhe publikun. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar në zemrat e artdashësve.
