Teksa NATO po përgatitet për samitin e saj më 24 qershor në Hagë, një pyetje rikthehet në tryezën e vendeve anëtare: Çfarë e bën një aleat të besueshëm?
Revista prestigjioze The Economist e përkufizon përgjigjen me “tri C-të”: Cash (paratë), Capabilities (aftësitë), dhe Commitment (angazhimi). Dhe ndonëse shumë shtete po përmbushin objektivin e shpenzimeve 2% të PBB-së për mbrojtje, aleanca tashmë kërkon më shumë: 3.5%, ku përfshihen edhe investime në infrastrukturë strategjike.
Por NATO nuk ka të bëjë vetëm me shifra. Thelbësore është edhe ku shkojnë paratë – dhe sa nga ato shpenzime i shërbejnë qëllimeve kolektive, jo tensioneve dypalëshe mes vendeve anëtare.
Shtetet si Italia, Spanja, Luksemburgu, Islanda dhe Shqipëria po japin shembuj të rolit të tyre në operacione specifike – nga komandimi i forcave shumëkombëshe, patrullimi ajror, deri te mbështetja kibernetike dhe satelitore.
Në një kohë kur SHBA mund të kërkojë të tërhiqet nga disa përgjegjësi tradicionale ushtarake, përgjegjësia pritet të shpërndahet më drejtë mes aleatëve. Por do të kërkojë guxim politik, vendimmarrje të shpejtë dhe rritje reale të kapaciteteve.
Nëse ndodh kriza, NATO do të duhet të dislokojë mbi 100,000 trupa brenda 10 ditësh. Pyetja është: A janë vendet anëtare gati ta mbajnë këtë fjalë pa SHBA-në në rol lideri?
