NATO i kërkon Serbisë drejtësi për dhunën në Kosovë, e cilëson Ballkanin rajon strategjik

Para 10 muaj

Një zyrtar i lartë i NATO-s ka bërë thirrje të qartë autoriteteve serbe që të ndjekin penalisht të gjithë përgjegjësit për aktet e dhunshme në Kosovë gjatë vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe ngjarjet në Banjskë.

Deklarata u dha një ditë para fillimit të samitit të NATO-s në Hagë, ku pritet që çështjet e sigurisë në Ballkan dhe përkrahja për Ukrainën të jenë në fokus.

“NATO ka qenë dhe mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon. Dhuna e vitit 2023 nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi”, u shpreh zyrtari, duke theksuar rëndësinë e dialogut Beograd-Prishtinë dhe mbështetjen për ndërmjetësimin e BE-së.

Ai konfirmoi rritjen e pranisë së KFOR-it në veri të Kosovës pas trazirave, duke theksuar se ishte ky përforcimi më i madh në një dekadë.

Ndërkohë, në samitin e Hagës pritet që liderët e 32 vendeve anëtare të bien dakord për rritje të shpenzimeve në mbrojtje dhe mbështetje afatgjatë për Ukrainën, ndërsa pritet që Presidenti Trump të qëndrojë vetëm për një kohë të shkurtër, duke kërkuar rritjen e buxhetit të mbrojtjes në 5% të BPV-së.