Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si u organizua protesta e zhvilluar para dy javësh në Prishtinë, kundër Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.
Në një deklaratë për mediat, Haradinaj e cilësoi protestën si “për marre dhe qyqarllëk”, duke kritikuar mungesën e guximit nga ana e OVL-UÇK për të marrë zyrtarisht përgjegjësinë për organizimin e saj.
“OVL ka nevojë të bëjë thirrje e jo të punojë në ilegalitet. Pozitive aty është që efekti u arrit dhe Trendafilova nuk mbajti konferencë”, u shpreh Haradinaj, duke iu referuar faktit se përmes protestës u anulua paraqitja publike e kryetares së Dhomave të Specializuara.
Ai shtoi se, megjithëse i kënaqur me rezultatin e protestës, mbeti thellësisht i zhgënjyer nga mënyra se si u veprua: “Isha i kënaqur me efektin, por i pakënaqur për mosguximin e pranimit të thirrjes, qoftë edhe simbolike të asaj proteste.”
Këto deklarata të Haradinajt vijnë në një kohë kur raportet ndërmjet institucioneve vendore dhe Dhomave të Specializuara në Hagë mbeten të tensionuara, sidomos pas ngritjes së aktakuzave ndaj disa prej ish-krerëve të UÇK-së.
Përplasjet e tilla po rihapin debatet për rolin dhe drejtimin e OVL-UÇK në kontekstin e sfidave të reja ligjore dhe politike që kanë dalë nga proceset gjyqësore ndërkombëtare, ndërkohë që zëri i veteranëve vazhdon të mbetet i ndjeshëm në opinionin publik dhe skenën politike në Kosovë.
