Prishtinë, 19 qershor 2025 – Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ka përfunduar sot ekzaminimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ai është dërguar në Klinikën e Neurologjisë gjatë orëve të paradites, i prangosur në duar dhe këmbë, raportoi ekskluzivisht Klan Kosova.
Ekzaminimi i Murselit vjen pas një vendimi të gjykatës më 4 qershor, ku në seancën gjyqësore u aprovua kërkesa e mbrojtjes që ndaj tij të kryhet eksaminim psikiatrik.
Për rastin e vrasjes që tronditi opinionin publik në fund të vitit 2023, përveç Naim Murselit, të akuzuar janë edhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.
Prokuroria e ka cilësuar rastin si vrasje e rëndë e planifikuar, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me shqyrtimet e mëtejshme në ditët në vijim.
