Muzeu i Qytetit të Mitrovicës është bërë anëtar i Network of European Museum Organisations (NEMO), rrjetit që përfaqëson organizatat kombëtare të muzeve në mbarë Evropën.
Në prezantimin e tij, NEMO e përshkruan muzeun si institucion publik kulturor komunal, në kuadër të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i përkushtuar për ruajtjen, hulumtimin dhe prezantimin e trashëgimisë historike e kulturore përmes ekspozitave dhe programeve edukative.
Drejtoresha Nora Prekazi tha se vizioni i tyre është që muzeu të jetë institucion i hapur, gjithëpërfshirës dhe i orientuar nga komuniteti. Ajo theksoi se përmes bashkëpunimit evropian synojnë të shkëmbejnë njohuri, të zhvillojnë praktikat edukative dhe ta bëjnë muzeun më të qasshëm për të gjithë.
NEMO funksionon që nga viti 1992 dhe ka selinë në Gjermani, duke shërbyer si platformë bashkëpunimi dhe përfaqësimi për sektorin muzeal në nivel evropian.
