Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar shkurt letrën që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në një prononcim për Klan Kosova, Mustafa u shpreh se vendimet për hyrje në koalicione nuk janë kompetencë individuale, por të organeve të partisë. “Është Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ai që sipas Statutit vendosë për koalicione”, deklaroi ai.
Letra e Kurtit, e cila u bë publike sot, përmban një ofertë për bashkëqeverisje me LDK-në. Kurti shprehet se nuk ka pasur kurrë probleme me Abdixhikun personalisht, por me figura të tjera të LDK-së që, sipas tij, nuk kanë më ndikim në parti.
“Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha se ato që i kishte para koalicioneve të mëparshme. Në vitin 2020 kemi qenë kolegë në qeverinë Kurti 1, dhe unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që sot nuk kanë më pozita të larta”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar Abdixhikut.
Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se e ka pranuar letrën dhe se do ta shqyrtojë në zyrë para se të japë një përgjigje. “Kam marrë një letër. Do të kthej përgjigje me kohë. Më lejoni të shkoj ta shoh letrën, pastaj do të flas”, deklaroi ai para mediave pas një takimi me deputetët e partisë në Kuvendin e Kosovës.
Abdixhiku gjithashtu mohoi që të ketë pasur ndonjë takim zyrtar me kryeministrin Kurti gjatë qëndrimit të tyre në Kuvend.
