Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si njeri që prej më shumë se dy dekadash ka vepruar kundër shtetit të Kosovës.
Sipas Musliut, që nga dita e lirimit nga burgu, Kurti ka përdorur gjithë energjinë e tij jo për ta ndërtuar shtetin, por për ta sfiduar dhe dëmtuar atë në mënyrë të qëllimshme.
“24 vjet kundër Kosovës. Për të luftuar me kaq këmbëngulje kundër shtetit tënd për më shumë se dy dekada, duhet të jesh deri në palcë i mbushur me urrejtje dhe çmenduri”, u shpreh Musliu.
Ajo e akuzon Kurtin për “minim sistematik të shtetit”, duke thënë se ai e ka sfiduar, delegjitimuar dhe në fund e ka nënshtruar Kosovën. Sipas saj, këto veprime nuk janë bërë për ideal, por për “kontroll personal”.
“Në vend që të angazhohet për shtetin që pretendon se e don, ka zgjedhur ta sfidojë, ta delegjitimojë dhe në fund ta nënshtrojë. E gjithë kjo jo për ideal, por për kontroll”, shtoi ajo.
Deputetja e opozitës theksoi se Kosova nuk ka nevojë për një lider që, sipas saj, e sheh shtetin si pronë personale dhe demokracinë si një bezdi që pengon agjendat e tij personale.
Në vazhdim të deklaratës, Musliu e cilësoi Kurtin si një figurë përçarëse dhe ekstremiste, duke e akuzuar për përdorim të mjeteve që, sipas saj, kanë synuar të mohojnë çdo të arritur dhe çdo vlerë të shenjtë të vendit.
“Kosova nuk mund të mbetet peng i një përçarësi ekstremist që nuk njeh as komb as Zot. Tani është koha për t’u indinjuar dhe për t’u ballafaquar. Heshtja nuk është më opsion. Për Liri e Demokraci! Kundër Diktaturës”, përfundoi ajo.
