Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, akuzoi Komunën e Prishtinës se nuk ka kryer pagesat e nevojshme, ndonëse Thesari ka alokuar me kohë buxhetin e dhjetorit. Sipas tij, alokimi u bë të premten pasdite, më herët se zakonisht, pikërisht që komuna të mund të paguante shërbimet esenciale si energjia elektrike. Por stafi komunal mbylli orarin e punës dhe njoftoi se pagesat do të kryheshin të hënën.
Murati kritikoi kryetarin Përparim Rama dhe nënkryetarët e komunës për “propagandë anti-qeveri” gjatë fundjavës, duke thënë se ata pretenduan gabimisht se pagesat ishin bllokuar nga Qeveria. Ai e lidhi situatën edhe me votën kundër të deputetëve të LDK-së për buxhetin e Prishtinës, duke akuzuar opozitën se po krijon kriza artificiale.
