Mungesa e energjisë elektrike dhe faturat e dyfishuara rëndojnë situatën në Kosovë para zgjedhjeve

Para 4 muaj

Kosova po përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe rritje të ndjeshme të faturave të rrymës, pikërisht në prag të zgjedhjeve që do të mbahen nesër. Situata ka prekur shumë qytetarë dhe ka shkaktuar pakënaqësi të madhe, sidomos në zonat rurale.

Shumë fshatra në komunat e Malishevës, Klinës, Podujevës dhe Ferizajt, por edhe qytete të tjera, janë përballur me ndërprerje të papritura të energjisë elektrike. Banorët thonë se janë zënë në befasi, pa njoftime paraprake, ndërkohë që temperaturat e ulëta dhe ngricat gjatë natës po e vështirësojnë edhe më shumë jetesën.

Përveç mungesës së rrymës, qytetarët janë ankuar edhe për faturat e energjisë elektrike, të cilat këtë muaj kanë ardhur të dyfishuara. Sipas tyre, faturat janë të fryra dhe nuk përputhen me konsumin real, gjë që ka rënduar buxhetin familjar në një periudhë tashmë të vështirë ekonomike.

Kjo situatë po krijon shqetësim të madh te qytetarët, të cilët kërkojnë sqarime dhe zgjidhje urgjente nga institucionet përgjegjëse, sidomos në një moment të ndjeshëm siç janë zgjedhjet.