Muhaxheri: Qeveria Kurti po lufton me kotece pulash në veri, jo me problemet reale të Kosovës

Para 10 muaj

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për qasjen ndaj veriut të vendit, duke thënë se kryeministri në detyrë po i paraqet si suksese zbulimet e armëve në kotece të pulave, ndërkohë që situata e përgjithshme është e rënduar.

“Qeveria po lufton me zyra të zbrazëta dhe kotece të pulave në veri. Gjejnë ndonjë armë aty dhe i shesin si fitore të mëdha. Ndërkohë, vendi po rrezikon të ardhmen për ambicie politike të një njeriu që do edhe një mandat”, deklaroi Muhaxheri në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

Ai shtoi se Kosova është futur në sanksione “me flamurin e nacionalizmit”, ndërkohë që opozita, sipas tij, nuk ka kapacitet për të formuar një qeveri të re.

“Ne si opozitë, me PDK-në, AAK-në e të tjerë, nuk i kemi 61 vota. Ka deputetë që refuzojnë çdo koalicion me PDK-në. Pra, jemi tri vota mangu”, tha Muhaxheri.

Sipas tij, veprimet në veri janë më shumë për konsum politik sesa zgjidhje reale për qytetarët, duke shtuar se retorika e kryeministrit Kurti po e izolon vendin ndërkombëtarisht.