Mrekullia e trupit të nënës: Pse qumështi i orës 3 të natës ndryshon nga ai i mëngjesit

Para 13 ditë

Një studim i fundit ka nxjerrë në pah se qumështi i gjirit nuk është një ushqim statik, por ndryshon përbërjen e tij gjatë ditës dhe natës në përputhje me ritmet biologjike të foshnjës.

Sipas hulumtimit, qumështi i prodhuar gjatë natës përmban nivele më të larta të melatoninës, hormonit që ndihmon në rregullimin e gjumit, ndërsa në orët e mëngjesit përmban më shumë kortizol, i cili lidhet me vigjilencën dhe aktivitetin. Studiuesit kanë vërejtur gjithashtu ndryshime në përmbajtjen e yndyrnave dhe të përbërësve mbrojtës të sistemit imunitar gjatë 24 orëve.

Një studim i realizuar nga studiues të Rutgers University analizoi 236 mostra qumështi nga 38 nëna dhe sugjeron se koha e nxjerrjes së qumështit mund të ketë rëndësi kur ai ruhet dhe përdoret më vonë. Sipas autorëve, etiketimi i qumështit me orën e nxjerrjes mund të ndihmojë që foshnja të marrë sinjalet biologjike të përshtatshme për gjumë dhe zgjim.

Ekspertët theksojnë se nevojiten më shumë studime për të kuptuar plotësisht ndikimin e këtyre ndryshimeve, por gjetjet forcojnë njohuritë mbi rolin e rëndësishëm të ushqyerjes me gji në zhvillimin e hershëm të foshnjës.