Ena Krasniqi, motra e Donika Kadaj-Bujupi, nuk do të jetë pjesë e listës së partisë boshnjake VAKAT për zgjedhjet e ardhshme të 28 dhjetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kishte dhënë dritën e gjelbërt për regjistrimin e saj si kandidate për deputete, ndërsa sot edhe PZAP konfirmoi vendimin duke vlerësuar ankesën e Koalicionit VAKAT si të pabazuar, përcjell Klankosova.tv.
“PZAP vlerëson se nga shkresat e lëndës rezulton se, me rastin e aplikimit për certifikim, si dhe më pas përmes ankesës para PZAP-it, kandidatja Ena Krasniqi nuk ka paraqitur asnjë provë që do të dëshmonte ekzistimin e lidhjes objektive me komunitetin boshnjak, në veçanti lidhjen e përkatësisë etnike, pa përjashtuar elemente të tjera si gjuha apo identiteti kulturor. Po ashtu, kandidatja nuk ka ofruar argumente që do të kundërshtonin pretendimin se në zgjedhjet lokale të vitit 2009 ka marrë pjesë si kandidate në listën e një subjekti politik të komunitetit shumicë”, thuhet në vendim.
