Momenti kur Besnik Bislimi hyn në Prokurorinë Speciale për të dhënë deklaratë

Para 10 muaj

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, është paraqitur sot në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ku po intervistohet në kuadër të hetimeve për kontratën e dhënies me qira të një fabrike për mbetje shtazore.

Sipas burimeve të Klankosova.tv, Bislimi ka hyrë në objektin e PSRK-së para pak çastesh, për të dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin që përfshin Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Klankosova.tv ka siguruar edhe pamjet e momentit kur ai ishte rrugës për në prokurori.

Ky veprim vjen pasi më 27 maj, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ishte marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit për të njëjtin rast.

Hetimet lidhen me dyshimet për parregullsi në kontratën për përdorimin e fabrikës së mbetjeve shtazore, ndërsa emri i zëvendëskryeministrit Bislimi përmendet në kontekstin e interesimit të tij për këtë marrëveshje.

Prokuroria nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare lidhur me rrjedhën e intervistimit apo me fazën aktuale të hetimeve.